Gjyshata Bektashiane e Maqedonisë njofton të gjithë besimtarët bektashinj që sot në ora 14:00 fillon agjerimi 10 ditor i Matemit!
Çfarë është Matemi?
Matemi është agjërimi i zisë, ose zija përkujtimore në nderim të veprës së martirëve të Qerbelasë. Agjërimi i bektashinjve dhe i tarikateve të tjerë alevian, zgjat 10 ditë të muajit hënor të Muharremit (Muaji Muharrem është fillimi i vitit të ri Hixhri sipas kalendarit myslyman), kur përkujtohen në shenjë zie e respekti 72 dëshmorët që ranë heronj në Qerbela, me në krye Imam Hysenin. Këto ditë bektashinjtë e të tjerë mblidhen në teqetë e ndryshme, ku udhërrëfyesit (klerikët) lexojnë me zë të lartë “Hadikanë”, bëjnë ritualin e përditëshëm, duke përkujtuar vuajtjet e profetëve e ngjarjen tragjike të Qerbelasë, për shërbimin e tyre të shenjtë në të mirë të njerëzisë, duke predikuar rrugën e drejtësisë, paqes, vëllazërisë dhe përsosmërisë njerëzore.
O njerëzit e-vërtetë!
u qofsha falë për jetë!
Derthni lot, ju Shqipëtarë,
q’ e njohtë udhën e mbarë,
ju që besoni Alinë,
dh’ e dini, ç’ është, njerinë,
që doni Imam Hysenë,
edhe mëmë Fatimenë.
Imamëtë dy-mbë-dhjetë
ç’ hoqnë për neve në jetë!
aqe shumë të këqija
s’ i dha rrobi Perëndija!
Pa kujtoni atë ditë,
sillni nër mënt gjithë zitë;
qysh i psholl e i rrethuan,
si i vran e i munduan!
një pik ujë nuk u dhanë,
po buzë-pjekur i lanë!
nuk u mbet në jetë shpresë
nga ajy komb’ i-pabesë!
që u dogji mushkëritë,
pa mejtohi atë ditë,
bini nër mënt Qerbelanë,
ç’ hoqnë Zotërinjtë t’ anë,
këjo e-madhe myxyrë
në të-këtillë menyrë
as më pasdaj as më parë,
s’ ka e nukë kishte ngjarë.


