BABA TAHIR EMINI
(1941-2006)
Rilindësi i besimit bektashian në Maqedoni
Po nuk shndrite në rrugët e jetës si një diell i vogël, nuk ke si perëndon si një diell i madh!
Hynqar Haxhi Veli Bektashi
Baba Tahir Emini u lind në Rrasë të Dishës, në këtë fshat të vogël nën malet e qytetit të Maqedonisë perëndimore – Tetovës. Baba Tahiri rridhte nga një familje bektashiane me traditë të lashtë të besimit Sufist të Islamit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ku edhe i morri mësimet e para të fesë. Baba Tahiri zgjoi një interesim të madh për misticizmin që në vegjëli, që e bëri që pjesën tjetër të jetës ta kalojë në studimin dhe përparimin e mëtejshëm të rrugës bektashiane. Edhe pse punoi për vite më radhë në fushën e arsimit (duke qenë disa vite edhe drejtor i një shkolle në fshatin Grupçin) gjatë periudhës së komunizmit e cila nuk ishte e përshtatshme për fenë, Baba Tahiri asnjëherë nuk u distancua nga tradita fetare që ia patën lënë për amanet të parët e tij.
Baba Tahiri morri dorë në vitin 1985 nga Baba Tajar Gashi, ndërsa në vitin 1994 Kryegjyshi Botëror bektashian e dekretoi me Dekret të shenjtë si Baba i Teqesë Harabati të Tetovës. Baba Tahiri, gjithë kohën pas dekretimit e kaloi duke shërbyer në Teqe dhe duke zbatuar urdhrin e Kryegjyshatës. Në periudhën e shërbimit në teqe, përveç që bëri myhibë, veshi edhe dervishë nga vende të ndryshme.
Kontributi që bëri Baba Tahiri për bektashizmin në nivel ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm. Jo vetëm që zgjeroi lidhjet me bektashinjtë e Turqisë, por edhe krijoi e i kultivoi marrëdhëniet miqësore e të përzemërta me shumë njerëz nga Evropa dhe Amerika, të cilët ishin të interesuar për fenë e të cilët e patën vizituar në teqe. Pa dyshim është puna e Baba Tahirit që vërteton arritjet e tij për bektashizmin në Maqedoni. Në shumë mënyra Baba Tahiri me aftësitë e tij e përtëriu dhe rilindi Bektashizmin në Maqedoni me insistim te qeveria duke e regjistruar si besim unik e të veçantë, të ndarë nga Komuniteti Sunit Mysliman,
grup ky që padrejtësisht tenton të paraqitet si përfaqësues i vetmi i besimit Islam në Maqedoni.
Gjatë periudhës komuniste, kur bektashinjtë në Maqedoni ishin të luftuar e të mospërfillur, Baba Tahiri filloi ta përhapte bektashizmin duke ua mësuar familjarëve dhe miqve të tij dhe duke bërë strategji për marrjen në posedim të teqesë së famshme “Harabati Baba” të Tetovës. Ky tempull i shenjtë iu morr Komunitetit bektashian në vitin 1946 nga komunistët, të cilët që atëherë disa objekte të tij i përdorën si hotel dhe restorant. Në vitin 1993, Baba Tahiri e ushtronte detyrës e Sekretarit të Teqesë dhe bashkë me udhëheqësin e tij shpirtëror (murshidin) Baba Tajar Gashi dhe disa anëtarë të Komunitetit bektashian u vendosën në teqe. Në të hyrë brenda ishte i paevitueshëm konflikti me shtetin, por falë largpamësisë dhe mençurisë së bektashinjve që duke vënë në skenë protestat paqësore e duke zbutur vrazhdësinë e qeverisë, arritën rezultat që sot e kësaj dite besimtarët, miqtë dhe vizitorët e ndryshëm nga e gjithë bota të jenë të mirëseardhur në teqenë bektashiane. Baba Tahiri ishte udhëheqësi i dytë shpirtëror (baba) që e vendosi rezidencën e vet në teqe pas më shumë se pesëdhjetë vitesh. Edhe pse konflikti me shtetin u zvogëlua, një konflikt më i madh e më i vështirë filloi në teqe me Komunitetin Sunit Mysliman. Pavarësisht se Tetova është përplot me xhami, më 15 gusht 2002 një grup i armatosur rezilësh u fut në teqe duke tentuar që teqenë ta përdori si xhami edhe përpos faktit se në historinë e saj 500 vjeçare, kjo godinë asnjëherë nuk është përdorur si e tillë. Edhe përpos kërcënimeve me jetë, Baba Tahiri ofroi dashuri dhe durim si kundërvënie për të verbuar mërinë dhe fanatizmin. Edhe përpos agresionit të zhveshur të fundamentalistëve, Baba Tahiri për t’i larguar nga pronat uzurpuesit vazhdoi të ndërmerr veprime në kuadër të ligjit. Fatkeqësisht kjo çështje ende nuk është zgjidhur nga ana e gjyqit.
Baba Tahiri ishte njeri i bekuar i Zotit me intelekt enorm, me elokuencë të lartë dhe pasion të madh për lexim e sidomos për mësimin e shkencave të Sufizmit, që është rrymë mistike dhe shpirtërore në kuadër të Islamit. Të qëndruarit pranë Baba Tahirit ishte gjithmonë kënaqësi. Ai gjithmonë fliste për gjëra dhe ide të reja, që i bënte dëgjuesit të rrinë në një gjendje anticipimi. Shtesa e humorit (për përdorimin e së cilit tradicionalisht baballarët bektashian kanë qenë të njohur) gjatë bisedave të gjithë të pranishmit i bënte të ndihen të relaksuar e të rehatuar.
Mënyra e predikimit dhe shpjegimit të Baba Tahirit të temave hyjnore shkaktonte ëndje te të gjithë ato që e dëgjonin Babain duke predikuar saqë shpeshherë ndodhte që predikimet (muhabetet) të zgjasnin me orë të tëra. Fisnik, i sjellshëm dhe me karakter të mirë, Baba Tahiri me lehtësi e fitonte simpatinë e akademikëve dhe intelektualëve shqiptarë si dhe të të gjithë atyre që patën nderin ta vizitojnë në teqenë e tij. Ishte e pamundur për ato që e njohën Baba Tahirin që mos t’i merrte malli për ta vizituar përsëri, qoftë edhe pas disa vitesh.
2
Duke qenë shumë i ditur dhe i aftë, Baba Tahiri arriti që të përhapte njohuri të mirëfillta për besimin bektashian në shtresa të ndryshme, sidomos te ato të cilët fillimisht e kundërshtonin ashpër.
Baba Tahiri jo vetëm që ishte mjeshtër i çështjeve shpirtërore, por edhe një patriot i devotshëm. Gjatë shërbimit të tij rreth njëzetvjeçar në teqe, ai kultivoi idealet patriotike, veçanërisht duke iu referuar patriotëve bektashianë të mirënjohur të së kaluarës. Duke e bërë këtë, ai rrënjosi sensin e krenarisë dhe arritjeve tek mijëra besimtarë bektashian të Maqedonisë.
Siç ka thënë edhe Profeti i bekuar për shenjtërinë në një Hadith: “… Dhe shkëlqimi i tyre fshihet pas fjalëve…”, pra ishte Baba Tahiri një njeri që rrezatonte dritë dhe shkëlqim kudo që ndodhej. I dashur nga çdo njeri, sidomos nga të rinjtë, Baba Tahiri patjetër të radhitet në njërin nga figurat fetare më eminente të shekullit XX dhe XXI. Fjalët dhe veprat e tij do të mbahen mend përgjithmonë nga ne që e takuam dhe njohëm dhe do të na shërbejnë si udhërrëfyes për një ardhmëri më të mirë.
Si një udhëheqës shpirtëror shembullor i një Komuniteti të tërë, Baba Tahiri vazhdimisht i mbushte zemrat tona me dashuri hyjnore, të çiltër e të sinqertë. Baba Tahiri ishte njeri largpamës e i virtytshëm, që nëpërmjet veprave të tij të moralshme i bindte dhe këshillonte të gjithë për mirësjellje dhe ndershmëri.
Veprat e tij, sidomos regjistrimi i Komunitetit bektashian si besim i veçantë, e bëjnë Baba Tahirin një nga klerikët bektashian më të shquar të fundshekullit të kaluar duke u radhitur pranë Shenjtërisë së tij Dede Reshat Bardhit që Rilindi bektashizmin në Shqipëri e më gjerë dhe Shenjtërisë së tij Baba Rexhebit që mbajti gjallë bektashizmin në ditët e tij më të errëta gjatë komunizmit duke vepruar nga Selia e tij e Shenjtë në Amerikë.
Ne besimtarët bektashinj të Maqedonisë, jemi krenar që patëm Baba Tahirin për udhëheqës shpirtëror.


