“U këshilluam e u pastruam,
Se ç’na thoni besë i zuam,
Me Imamët u bashkuam,
Baba Qazim shiko mirë,
Mos ki madhni e smirë,
Zemrën zgjonoje me mëshirë,
Sy e zemra t’i pastroni.
Hyyy
* Pak vargje nga një nefes i Baba Qazimit.
Bota Bektashiane, veçanërisht bektashinjtë nga Kosova, Maqedonia, e Shqipëria, më 15 shkurt 2024 e kujtojnë shenjtorin e madh, Baba Qazim Bakalli (në post: 1941-1981).
Mësuesi, Besimtari, Dervishi, Babai e Halifeja Qazim Bakalli, në rrugëtimin e tij akademik dhe mistik lëvizi në disa rajone shqiptare duke shpërndarë dritë.
Ishte myhib i Haxhi Adem Vexhhi Babait në Teqenë e Gjakovës,
Dervish e veshi Haxhi Mehmet Babai në Teqenë e Fushë-Krujës,
Myxherret dhe Baba u dekretua nga Kryegjyshi Sali Njazi Dede Baba,
Halife u dekretua nga Kryegjyshi Xhafer Dede Baba.
Jeta e Tij klerikale përbëhet nga funksione e kontribute të çmuara:
• Ishte mësues i dervishëve në Shkollën e Dervishëve të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, Shqipëri.
• Shërbeu si dervish në teqetë bektashiane në Shkodër, Elbasan, e Tetovë.
• U caktua postnishin i Teqesë Harabati Baba të Tetovës, të cilën e funksionalizoi pas viteve të rënda.
• U burgos e u keqtrajtua nga pushteti Jugosllav. Pati atentat ndaj Baba Qazim Bakallit dhe Baba Musa Himadunës.
• Kur posti i babait në Teqenë e Gjakovës mbeti vakant, u kthye në Gjakovë, ku jetoi në Teqe deri në kalimin nga jeta, në moshën 101 vjecare më 15 shkurt 1981.
• Bibliotekën e Teqesë së Gjakovës që e trashëgoi me shumë perla nga paraardhësit baballarë, e pasuroi edhe më tej me dorëshkrime e përkthime të shumta (që shumica u plaçkitën e dogjën nga Ushtria e rregullt e Serbisë më 1999).
• Për shkak të pamundësimit të funksionimit të Kryegjyshatës për shkak të regjimit komunist në Shqipëri, Halife Baba Qazim Bakalli mbajti gjallë kontaktet me gjithë botën bektashiane: bashkërendoi klerikët bektashianë nëpër botë, emëroi dervishë e baballarë në Kosovë, Maqedoni, Turqi, e gjetiu.
• Përjetoi trysninë komuniste në Kosovë: u desh të bëhet zhvendosja e Teqesë dhe Tyrbeve Bektashiane të Gjakovës nga lokacioni i parë (qendra e qytetit të Gjakovës, ku sot gjendet Postë-Telekomi) për në lokacionin aktual (në rrugën që pas çlirimit të Kosovës mban emrin e Tij).
Para jetës klerikale, ky personalitet i shquar ka përshkuar shtigje të ndritshme të zhvillimit akademik e patriotik:
• Shkollimin fillor e mbaroi në Gjakovë.
• Shkollën fetare e kreu në gjuhën shqipe në Shkup.
• Kreu Shkollën Normale në Berat e në Elbasan.
• Ishte mësues në Durrës, në Gjakovë, në Has e në Lumë.
• U angazhua në ndihmë ndaj Bajram Currit, duke pasur korrespondenturë edhe me Fan Nolin.
• Ishte sekretar i komunës Bytyq, e më pas krahinar i zonës.
• Kur kohërat sollën ndryshimet, u përkushtua në Udhën e Shenjtë Bektashiane.


