Gjyshata Bektashiane e Maqedonisë së Veriut njofton të gjithë besimtarët bektashinj që nesër (e shtunë, 06 Korrik 2024) pas orës 14:00 bëhet nijeti i agjerimit 10 ditor të Matemit!
Matemi është agjërimi i zisë, ose zija përkujtimore në nderim të veprës së martirëve të Qerbelasë. Agjërimi i bektashinjve dhe i tarikateve të tjerë alevian, zgjat 10 ditë të muajit hënor të Muharremit (Muaji Muharrem është fillimi i vitit të ri Hixhri sipas kalendarit myslyman), kur përkujtohen në shenjë zie e respekti 72 dëshmorët që ranë heronj në Qerbela, me në krye Imam Hysenin.
Gjatë këtyre dhjetë ditëve mbahet zi si dhe lexohet Hadikaja (Kopshti i të Mirëve).
Gjatë Matemit nuk pihet uji dhe nuk konsumohen produktet shtazore (qumësht, mish, vezë, peshk, etj). Hahen perime, fruta dhe të gjitha produktet e tokës.


