Ka ndërruar jetë Baba Hekuran nga Teqeja e Baba Aliut, Përmet
Babai i Teqesë së Baba Aliut në Alipostivan, Baba Hekuran Nikollari, ka ndërruar jetë ditën e sotme në Përmet.
Lajmi konfirmohet nga burime policore teksa rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta. Pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të zbardhë më shumë mbi shkaqet e vdekjes së 60 vjeçarit.
Trupi i pajetë i klerikut bektashi do të transportohet drejt spitalit rajonal të Gjirokastrës për t’ju nënshtruar ekspertizës..
Zoti e mëshiroftë, dhe qoft pranë shenjtorëve
Jeta e Baba Hekuran Nikollarit
Baba Hekuran Nikollari lindi më 7 shtator 1963, në fshatin Seniçan të Përmetit. Jeta e tij u formësua mes sfidave të shumta, por gjithmonë me përkushtimin dhe dashurinë e pakushtëzuar të prindërve, të cilët i mësuan vlerat e ndershmërisë, urtësisë, dijes dhe dashurisë për atdheun. Babai i tij, Fejzua, u nda nga jeta në vitin 1985, ndërsa nëna, Vezirja, ndërroi jetë në vitin 2010.
Arsimimin e parë e mori në shkollën fillore dhe 8-vjeçare “Riza Velçishti” në Seniçan. Më pas, vazhdoi shkollën e mesme në gjimnazin “Kamber Bënja” në Bënje. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, u detyrua të ndërpriste mësimet pas dy vitesh dhe të fillonte punën në kooperativën bujqësore të Mërtinjit. Në vijim, punoi në Ndërmarrjen e Bonifikimit në Përmet, Ndërmarrjen e Ujërave të Këlcyrës dhe në Shfrytëzimin dhe Përpunimin e Drurit në Përmet.
Në vitin 1992, si shumë bashkatdhetarë, emigroi në Greqi, ku punoi në disa qytete si Trikalla, Athinë, Lamia, ishulli Kolkidha dhe Larisa, duke kryer punë të ndryshme për të mbajtur familjen. Në vitin 2000, Baba Hekurani u kthye në atdhe, i frymëzuar nga ideali kombëtar dhe mësimet atdhetare e bektashiane të Dede Reshat Bardhit dhe Baba Aliut të Alipostivanit. Në vendin e quajtur “Ahuri i Nakove”, ai rindërtoi Mekamin, të cilin sot e njohim si “I miri i Nakove”.
Më 22 mars 2001, Baba Hekurani mbërriti në Alipostivan, ku gjeti një teqe të shkatërruar nga ngjarjet e vitit 1967. Ai u prit ngrohtësisht nga familja e Refat Hasimit, e njohur për traditat e saj atdhetare. Me ndihmën e Refatit, Demir Elmazit dhe besimtarëve të zonës, u ngrit tyrbja e Baba Ali Horasanit. Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi, i dha bekimin për këtë punë të madhe.
Më 4 prill 2002, Baba Hekurani qëndroi përkohësisht pranë Selisë së Shenjtë në Tiranë, ku Haxhi Dede Reshat Bardhi i veshi rrobën e bektashiut dhe e emëroi dervish në teqenë e Ali Horasanit në Alipostivan. Ndër vite, nga 2007 deri në 2009, Baba Hekurani u emërua dervish në teqenë e Frashërit, ku u angazhua tërësisht për ta restauruar dhe për t’i kthyer shkëlqimin origjinal këtij monumenti historik dhe kulturor të njohur në mbarë Shqipërinë.
Pas disa vitesh shërbimi në teqenë e Kulmakut në malin e Tomorrit, më 29 dhjetor 2009, Baba Hekurani u shpall zyrtarisht me dekret të Haxhi Dede Reshat Bardhit, si “Baba” i teqesë së Baba Nasibiut në Frashër, të teqesë së Baba Aliut në Alipostivan dhe të teqesë së Baba Xhaferit në Përmet.
Në çdo ceremoni fetare dhe kombëtare, Baba Hekurani mbyllte fjalën e tij me thirrjen e zjarrtë: “Rroftë Shqipëria!”.
Për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë, Baba Hekurani është nderuar me disa tituj të rëndësishëm. Këshilli i Bashkisë Poliçan i dha titullin “Qytetar Nderi”, ndërsa Këshilli i Komunës Frashër e nderoi me titullin “Nderi i Frashërit” (Vendim Nr. 19, datë 21.03.2015). Presidenti i Republikës e dekoroi me “Urdhrin Naim Frashëri i Artë”.
Me përkushtimin e tij të palodhur, Baba Hekurani drejtoi me sukses teqetë e Alipostivanit, Frashërit dhe ndërmori përpjekje të mëdha për ndërtimin e teqesë së Baba Xhaferit në Përmet. Falë përkushtimit të tij si klerik, ai fitoi respektin e besimtarëve dhe dashamirësve në Përmet dhe më gjerë.
Një nga arritjet e tij më të mëdha ishte identifikimi dhe dokumentimi i të gjitha teqeve, tyrbeve dhe vendeve të shenjta në zonën e Përmetit. Gjithashtu, ai rindërtoi nga themelet teqenë e Cfratit në Bual, duke e pajisur me një tyrbe të mrekullueshme, që sot është një pikë referimi për besimtarët dhe vizitorët. Kontributi i Baba Hekuran Nikollarit mbetet një pasuri e çmuar për bektashizmin dhe kulturën shqiptare.


